‏ Habakkuk 3

1Lutja e profetit Habakuk mbi Shigionothin. 2"O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën. 3Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij. 4Shkëlqimi i tij ishte si drita, rreze si shkëndi dilnin nga dora e tij dhe aty fshihej fuqia e tij. 5Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij. 6Ai ndalej dhe maste tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme. 7Unë i shikoja në dëshpërim çadrat e Kushanit, pavijonet e vendit të Madianit dridheshin. 8O Zot, a merrte zjarr vallë zemërimi yt kundër lumenjve? A ishte zemërimi yt kundër lumenjve ose tërbimi yt kundër detit, kur shkoje hipur mbi kuajt e tu, mbi qerret e tua të fitores? 9Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë. 10Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart. 11Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese. 12Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar. 13Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin tënd; ti ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themelet e deri lart. 14Ti ke shpuar me shigjetat e tua kokën e fshatrave të tij; ata kishin ardhur si një uragan për t'i shpërndarë, duke lëshuar britma gëzimi, sikur po gllabëronin të mjerin në fshehtësi. 15Me kuajt e tu ke ecur përmes detit, nëpërmjet një mase të madhe ujërash. 16Kam dëgjuar dhe të përbrendshmet e mia u drodhën dhe buzët e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda. Megjithatë do të rri i qetë ditën 17Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, 18unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim. 19Zoti, Zoti, është forca ime; ai do t'i bëjë këmbët e mia si ato të durëve dhe do të më bëjë të ecë mbi lartësitë e mia". Mjeshtrit të korit. Për veglat me tela.

Copyright information for Alb