Isaiah 7
1Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit, por nuk arritën ta shtien në dorë. 2Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: "Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim". Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era. 3Atëherë Zoti i tha Isaias: "Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi, në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit, 4dhe thuaji: Shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerr tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë, dhe të birit të Remaliahut. 5Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje, duke thënë: 6"Të dalim kundër Judës, ta temerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit"". 7Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kjo nuk ka për të ardhur, nuk ka për të ndodhur, 8sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brënda gjashtëdhjetë e pesë vjetve Efraimi do të bëhet copë-copë dhe nuk do të jetë më popull. 9Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm". 10Zoti i foli përsëri Ashazit dhe i tha: 11"Kërkoji një shenjë për vete Zotit, Perëndisë tënd; kërkoja ose në thellësitë ose në lartësitë". 12Por Ashazi u përgjigj: "Unë nuk do të kërkoj asgjë, nuk dua të tundoj Zotin". 13Atëherë Isaia tha: "Dëgjoni tani, o shtëpi e Davidit! Mos është, vallë, një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit, që doni të lodhni edhe Perëndinë tim? 14Prandaj vet Zoti do t'ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel. 15Ai do të hajë ajkë dhe mjaltë deri sa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën. 16Por para se fëmija të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, vendi të cilin ti e druan për shkak të dy mbretërve të tij do të braktiset. 17Zoti do të sjellë mbretin e Asirisë mbi ty, mbi popullin tënd dhe mbi shtëpinë e atit tënd ditë që nuk kanë ardhur që kur Efraimi u nda nga Juda. 18Atë ditë do të ndodhë që Zoti do t'u fërshëllejë mizave që ndodhen në skajet e lumenjve të Egjiptit dhe bletëve që ndodhen në vendin e Asirisë. 19Ato do të vijnë dhe të vendosen në luginat e shkretuara, në të çarat e krepave, mbi të gjitha gëmushët me gjemba dhe mbi të gjitha kullotat. 20Atë ditë Zoti me një brisk të marrë hua përtej Lumit, domethënë me mbretin e Asirisë, do të rruajë kokën dhe qimet e këmbëve, si edhe mjekrën. 21Atë ditë do të ndodhë që dikush do të mbajë një lopë të re dhe dy dele, 22dhe për shkak të bollëkut të qumështit që do t'i japin, ai do të hajë ajkë, sepse ajkë dhe mjaltë kanë për të ngrënë të gjithë ata që kanë mbijetuar dhe janë lënë në mes të vendit. 23Atë ditë çdo vend ku mund të kishte një mijë hardhi me një vlerë prej një mijë siklash argjendi do të bëhet pre e ferrave dhe e gjembave. 24Do të hyhet në to me shigjeta dhe me hark, sepse tërë vendi do të jetë i mbuluar nga ferra dhe gjemba. 25Dhe mbi të gjitha kodrat që u çelën me shatë nuk do të kalohet më nga frika e ferrave dhe gjembave; do të jenë një vend ku do të dërgohen qetë dhe që do të shkelet nga dhentë".
Copyright information for
Alb