‏ John 5

1Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem. 2Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë. 3Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit. 4Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte. 5Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh. 6Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ''A dëshiron të shërohesh?''. 7I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s'kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje''. 8Jezusi i tha: ''Çohu, merr vigun tënd dhe ec!''. 9Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë. 10Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: ''Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!''. 11Ai iu përgjigj atyre: ''Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"''. 12Atëherë ata e pyetën: ''Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?''. 13Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend. 14Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ''Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe''. 15Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi. 16Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave. 17Por Jezusi u përgjigj atyre: ''Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj''. 18Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë. 19Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri. 20Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni. 21Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do. 22Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, 23që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar. 24Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë. 25Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë. 26Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete; 27dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut. 28Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij 29dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit. 30Unë s'mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar. 31Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë. 32Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë. 33Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës. 34Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni. 35Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij. 36Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar. 37Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij, 38dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar. 39Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. 40Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën. 41Unë nuk marr lavdi nga njerëzit. 42Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju. 43Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit. 44Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia? 45Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t'ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj; 46sepse nëqoftëse ju do t'i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. 47Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t'u besoni fjalëve të mia?''.

Copyright information for Alb