Obadiah
1Vegimi i Abdias. Kështu thotë Zoti, Zoti, për Edomin: "Ne kemi dëgjuar një mesazh nga Zoti dhe një ambasador është dërguar midis kombeve për të thënë: "Lëvizni dhe të ngrihemi kundër tij për të luftuar". 2Ja, unë do të të bëj të vogël midis kombeve; ti do të jesh shumë i përbuzur. 3Krenaria e zemrës sate të ka mashtruar, o ti që banon në të çarat e shkëmbinjve, ku ke bërë banesën tënde të lartë, që thua në zemrën tënde: "Kush do të më zbresë për tokë?" 4Edhe sikur ti të ngrihesh lart si një shqiponjë dhe ta vije folenë tënde midis yjeve, unë do të të zbres nga atje lart", thotë Zoti. 5"Po të të vinin natën cuba ose kusarë, si do të shkatërroheshe! A nuk do të vidhnin aq sa u mjafton? Po të të vinin vjelësit e rrushit, a nuk do të linin disa vile për të mbledhur? 6Oh, sa do ta zhbirojnë Esaun, si do t'i rrëmojnë skutat e tij! 7Tërë aleatët e tu do të të shtrëngojnë në kufi, ata që ishin në paqe me ty do të të mashtrojnë dhe do të kenë epërsi mbi ty; ata që hanë bukën tënde do të kurdisin gracka; por ai nuk e kupton këtë. 8Atë ditë", thotë Zoti, "unë do të zhduk nga Edomi njerëzit e ditur dhe nga mali i Esaut mënçurinë. 9Atëherë trimat e tu do t'i zërë tmerri, o Teman, derisa çdo njeri të shfaroset nga mali i Esaut në masakër. 10Për shkak të dhunës kundër vëllait tënd Jakob, turpi do të të mbulojë dhe do të shfarosesh përjetë. 11Sepse ti ishe i pranishëm ditën që ti rrije mënjanë, ditën që të huajt e çonin në robëri ushtrinë e tij dhe të huajt hynin nga portat e tij dhe hidhnin në short fatet e Jeruzalemit, edhe ti ishe si një prej tyre. 12Por ti nuk duhet të shikoje me gëzim ditën e vëllait tënd, ditën e fatkeqësisë së tij, as duhet të gëzoheshe për bijtë e Judës ditën e shkatërrimit të tyre dhe as të flisje me arrogancë ditën e fatkeqësisë së tyre. 13Nuk duhet të hyje nga porta e popullit tim, ditën e fatkeqësisë së tij, as të sodisje edhe ti me kënaqësi mjerimin e tij, ditën e fatkeqësisë së tij dhe as të shtrije duart mbi pasuritë e tij ditën e fatkeqësisë së tij. 14Nuk duhet të viheshe në udhëkryqet për të masakruar ikanakët e tij dhe as t'i jepje në dorë të armikut ata që kishin mbijetuar ditën e fatkeqësisë. 15Sepse dita e Zotit është e afërt për tërë kombet; atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde. 16Sepse ashtu si keni pirë mbi malin tim të shenjtë, kështu do të pinë tërë kombet vazhdimisht; po, do të pinë, do të rrëkëllejnë dhe do të jenë si të mos kenë qenë kurrë". 17"Por mbi malin e Sionit do të jenë ata që mbijetuan dhe do të jetë një vend i shenjtë; dhe shtëpia e Jakobit do të shtjerë në dorë pronat e veta. 18Shtëpia e Jakobit do të jetë një zjarr, shtëpia e Jozefit një flakë, por shtëpia e Esaut do të jetë si kallamishte: ata do ta djegin dhe do ta gllabërojnë, dhe shtëpisë së Esaut nuk do t'i mbetet asnjë trashëgimtar", sepse ka folur Zoti. 19Ata të Negevit do të zotërojnë malin e Esaut dhe fushën e vendit të Filistejve; do të zotërojnë edhe fushat e Efraimit dhe fushat e Samarisë dhe Beniamini do të zotërojë Galaadin. 20Mërgimtarët e kësaj ushtrie të bijve të Izraelit që ndodhen midis Kananeasve, do të zotërojnë vendin deri në Sarepta, mërgimtarët e Jeruzalemit që ndodhen në Sefarad do të zotërojnë qytetet e Negevit. 21Atëherë disa çlirimtarë do të ngjiten në malin e Sionit për të gjykuar malin e Esaut, dhe mbretëria do të jetë e Zotit.
Copyright information for
Alb