Zephaniah 2
1Mblidhuni, mblidhuni bashkë, o komb i pacipë, 2para se dekreti të ketë efekt, para se dita të kalojë si byku, para se të bjerë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Zotit, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Zotit. 3Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit. 4Sepse Gaza do të braktiset dhe Ashkeloni do të bëhet një shkreti; do të dëbojnë Ashdodin me dhunë në mes të ditës, dhe Ekroni do të çrrënjoset. 5Mjerë banorët e bregut të detit, mjerë kombi i Kerethejve! Fjala e Zotit është kundër teje, o Kanaan, vend i Filistejve: "Unë do të të shkatërroj dhe nuk do të mbetet më asnjë i gjallë". 6Kështu bregu i detit do të jetë i tëri kullotë me banesa për barinjtë dhe vathë për kopetë. 7Bregdeti do t'i përkasë mbeturinës së shtëpisë së Judës; në këto vende do të kullotin kopetë; në mbrëmje do të pushojnë në shtëpitë e Ashkelonit, sepse Zoti, Perëndia i tyre, do t'i vizitojë dhe do t'i kthejë nga robëria. 8"Kam dëgjuar përbuzjen e Moabit dhe fyerjet e rënda të bijve të Amonit, me të cilat kanë fyer popullin tim dhe janë zmadhuar në dëm të territorit të tyre. 9Prandaj, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, "me siguri Moabi do të jetë si Sodoma, dhe bijtë e Amonit si Gomorra, një vend i zënë nga hithrat dhe kripërat, një shkreti përjetë. Kusuri i popullit tim do t'i plaçkitë dhe mbeturina e popullit tim do t'i zotërojë. 10Kjo do t'u ndodhë për shkak të kryelartësisë së tyre, sepse kanë fyer dhe trajtuar me arrogancë popullin e Zotit të ushtrive. 11Zoti do të jetë i tmerrshëm kundër tyre, sepse do t'i përkulë tërë perënditë e tokës; dhe secili do ta adhurojë nga vendi i tij, po, tërë ishujt e kombeve. 12Edhe ju, Etiopas, do të vriteni nga shpata ime". 13Ai do të shtrijë dorën kundër veriut, do të shkatërrojë Asirinë dhe do ta bëjë Niniven shkreti, një vend të thatë si shkretëtira. 14Në mes të tij do të struken kopetë, tërë kafshët e kombeve; si pelikani ashtu dhe çafka do të kalojnë natën mbi kapitelet e shtyllave të tij; zëri i tyre do të dëgjohet në dritare; shkretimi do të jetë mbi pragje, sepse do të shkatërrojë veshjen me panela kedri. 15Ky është qyteti i qejfeve që rrinte i sigurt dhe thoshte në zemër të vet: "Unë, dhe askush tjetër veç meje". Vallë si u bë një shkreti, një vend ku struken kafshët? Kushdo që do t'i kalojë afër do të fërshëllejë dhe do të tundë dorën.
Copyright information for
Alb