Deuteronomy 33
1Ky është bekimi me të cilin Moisiu, njeri i Perëndisë, bekoi bijtë e Izraelit, para se të vdiste. 2Dhe u tha: "Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran, arriti nga mesi i një morie shenjtorësh; nga e djathta e tyre dilte për ta një ligj i zjarrtë. 3Me siguri ai i do popujt; të gjithë shenjtorët e tij janë në duart e tua; ata janë ulur në këmbët e tua, secili i dëgjon fjalët e tua. 4Moisiu na ka urdhëruar një ligj, një trashëgimi të asamblesë së Jakobit. 5Ai ka qenë mbret në Jeshuruni, kur mblidheshin krerët e popullit, tërë fiset e Izraelit tok. 6Rroftë Rubeni dhe mos vdektë; por njerëzit e tij mbetshin pak". 7Judës përkundrazi i tha këto: "Dëgjo, o Zot, zërin e Judës dhe ktheje tek populli i tij; dora e tij lufton për çështjen e tij; bëhu ti një ndihmës i tij kundër armiqve të tij. 8Pastaj për Levin tha: "Thumimët dhe Urimët e tu i përkasin njeriut tënd besimtar, që ti provove në Masa dhe me të cilin je grindur në ujërat e Meribës. 9Ai thotë për të atin dhe për të ëmën: "Unë nuk i kam parë"; ai nuk i njohu vëllezërit e tij dhe nuk njohu bijtë; sepse Levitët kanë respektuar fjalën tënde dhe kanë ruajtur besëlidhjen tënde. 10Ata u mësojnë dekretet e tua Jakobit dhe ligjin tënd Izraelit; vënë temjanin para teje dhe tërë olokaustin mbi altarin tënd. 11O Zot, beko forcën e tij dhe prano veprën e duarve të tij. Shpo tej e përtej ata që ngrejnë krye kundër atij dhe që e urrejnë, me qëllim që të mos ngrihen më". 12Përsa i përket Beniaminit, ai tha: "I dashuri i Zotit do të banojë me siguri pranë tij. Zoti do ta mbrojë vazhdimisht dhe do të banojë në krahët e tij". 13Përsa i përket Jozefit, ai tha: "Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë, 14me frytet e çmuara të diellit, me prodhimet e çmuara të çdo muaji, 15me prodhimet më të mira të maleve të lashta, me dhuratat e çmuara të kodrave të përjetshme, 16me dhuratat e çmuara të tokës dhe të të gjitha gjërave që ajo përmban. Favori i atij që ishte në ferrishte të bjerë mbi kryet e Jozefit, mbi majën e kokës së atij që është zgjedhur ndërmjet vëllezërve të tij! 17Madhështia e tij është si ajo e demit të tij të parëlindur, brirët e tij janë si brirët e një bualli. Me to do të shpojë tërë popujt, deri në skajet e dheut. Këto janë moritë e Efraimit. Këto janë mijërat e Manasit". 18Përsa i përket Zabulonit, ai tha: "Gëzoje, Zabulon, daljen tënde, dhe ti Isakar, ndejtjen në çadrat e tua! 19Ata do të thërrasin popujt në mal dhe aty do të ofrojnë flijime drejtësie; sepse ata do të thithin bollëkun e detrave dhe thesaret e fshehura në rërë". 20Përsa i përket Gadit, ai tha: "I bekuar qoftë ai që e shtrin Gadin. Ai rri shtrirë si një luaneshë dhe copëton krahë dhe kafkë. 21Ai shtie në dorë pjesën e parë për veten e tij, sepse aty ishte pjesa e parë e rezervuar e udhëheqësit; ai erdhi me krerët e popullit dhe zbatoi drejtësinë e Zotit dhe dekretet e tij me Izraelin". 22Përsa i përket Danit, ai tha: "Dani është një luan i vogël, që hidhet nga Bashani". 23Përsa i përket Neftalit, ai tha: "O Neftali, i ngopur me favore dhe i mbushur me bekime të Zotit, pushto perëndimin dhe jugun". 24Përsa i përket Asherit, ai tha: "Më i bekuari nga tërë bijtë qoftë Asheri! Le të jetë i preferuari i vëllezërve të tij dhe të zhysë këmbën e tij në vaj. 25Sandalet e tij të jenë prej hekuri dhe prej bronzi, dhe forca jote të vazhdojë sa janë ditët e tua. 26Askush nuk është barabar me Perëndinë e Jeshurunit, që shkon me kalë nëpër qiejtë në ndihmën tënde dhe shkon mbi retë me madhështinë e tij. 27Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm. Ai do ta dëbojë armikun para teje dhe do të thotë: "Shkatërroje!". 28Atëherë Izraeli do ta ndiejë veten të sigurtë, në një vend gruri dhe mushti; dhe qielli i tij di të japë vesë. 29Ti je i lumtur, o Izrarel! Kush është barabar me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti? Ai është mburoja që të ndihmon dhe shpata e lavdisë sate. Armiqtë e tu do të të nënshtrohen dhe ti do të shkelësh vendet e tyre të larta".
Copyright information for
Alb