‏ Exodus 36

1Tani Betsaleeli dhe Oholiabi si dhe të gjithë njerëzit e aftë, të cilët Zoti i ka pajisur me dituri dhe zgjuarsi për të kryer të gjitha punimet për shërbimin e shenjtërores, kanë për të vepruar sipas urdhrave të Zotit". 2Moisiu thirri, pra, Betsaleelin dhe Oholiabin dhe të gjithë njerëzit e urtë nga zemra, të cilët shtyheshin nga zemra për t'i hyrë punës dhe për ta kryer atë. 3Dhe ata morën nga Moisiu të gjitha ofertat e sjella nga bijtë e Izraelit për punimet për ndërtimin e shenjtërores dhe kryerjen e tyre. Por çdo mëngjes bijtë e Izraelit vazhdonin t'i sillnin Moisiut oferta vullnetare. 4Atëherë të gjithë njerëzit e aftë që kryenin punime të çfarëdo lloji në shenjtërore, duke lënë secili punën që bënte, erdhën 5dhe i folën Moisiut, duke thënë: "Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për të kryer punimet që Zoti ka urdhëruar të bëhen". 6Atëherë Moisiu dha këtë urdhër që u shpall nëpër kamp, duke thënë: "Asnjë burrë dhe asnjë grua të mos bëjë më ndonjë ofertë për shenjtëroren". Kështue ndaluan popullin të sillte tjetër material. 7Sepse materiali që kishin mjaftonte për të gjitha punimet që kishin për të bërë, madje tepronte. 8Tërë njerëzit e aftë, midis atyre që punonin për ndërtimin e tabernakullit, bënë dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur dhe me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe; ai i bëri me kerubinë të punuar artistikisht. 9Çdo pëlhurë kishte një gjatësi dhe një gjerësi prej katër kubitësh; të gjitha pëlhurat kishin të njëjtën masë. 10Ai bashkoi pesë pëlhura, dhe bashkoi gjithashtu pesë pëlhurat e tjera. 11Dhe bëri sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë të pëlhurave; bëri të njëjtën gjë në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë. 12Ai bëri pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe bëri gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë; sythet korrespondonin njëri me tjetrin. 13Dhe bëri edhe pesëdhjetë kapëse ari dhe bashkoi pëlhurat njërën me tjetrën me anë të kapëseve; kështu tabernakulli përbënte një të tërë. 14Ai bëri gjithashtu pëlhura me leshin e dhive, që të shërbenin si çadra mbi tabernakullin; ai bëri njëmbëdhjetë nga këto pëlhura. 15Çdo pëlhurë kishte një gjatësi prej tridhjetë kubitësh, dhe një gjerësi prej katër kubitësh; të njëmbëdhjetë pëlhurat kishin të njëjtën masë. 16Ai bashkoi pesë pëlhura nga njëra anë dhe gjashtë pëlhura nga ana tjetër. 17Bëri gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë të pëlhurave dhe pesëdhjetë sythe mbi buzën e perdes së jashtme të serisë së dytë. 18Dhe bëri pesëdhjetë kapëse prej bronzi për ta bashkuar çadrën, me qëllim që të përbënte një të tërë. 19Bëri gjithashtu për çadrën një mbulesë me lëkura dashi të ngjyera me të kuq, dhe mbi të një mbulesë me lëkura baldosash. 20Pastaj bëri për tabernakullin dërrasat prej druri të akacies, të vendosura më këmbë. 21Gjatësia e një dërrase ishte dhjetë kubitë dhe gjerësia e saj një kubit e gjysmë. 22Çdo dërrasë kishte dy kllapa për të bashkuar njërën dërrasë me tjetrën; kështu ai veproi për të gjitha dërrasat e tabernakullit. 23Pastaj ai bëri dërrasat për tabernakullin: njëzet dërrasa për krahun jugor; 24dhe bëri dyzet baza prej argjendi nën njëzet dërrasat: dy baza poshtë çdo dërrase për të dy kllapat e veta. 25Dhe për anën e dytë të tabernakullit, anën veriore, ai bëri njëzet dërrasa, 26me dyzet bazat e tyre prej argjendi, dy baza nën çdo dërrasë. 27Për pjesën e pasme të tabernakullit, në drejtim të perëndimit, ai bëri gjashtë dërrasa. 28Bëri gjithashtu dy dërrasa për të dy qoshet e pasme të tabernakullit. 29Këto çiftoheshin poshtë dhe ishin bashkuar lart me një unazë. Kështu veproi për të dy dërrasat, që ndodheshin në të dy qoshet. 30Kishte, pra, tetë dërrasa me bazat e tyre prej argjendi: gjashtëmbëdhjetë baza, dy baza nën çdo dërrasë. 31Bëri gjithashtu disa traversa prej druri të akacies: pesë për dërrasat e njërit krah të tabernakullit, 32pesë traversa për dërrasat e krahut tjetër të tabernakullit, dhe pesë traversa për dërrasat e pjesës së pasme të tabernakullit, në perëndim. 33Pastaj bëri që traversa e qendrës të kalonte në mes të dërrasave, nga njëra anë në tjetrën. 34I veshi pastaj dërrasat me ar dhe i bëri prej ari unazat e tyre nga do të kalonin traversat, dhe i veshi me ar traversat. 35Bëri gjithashtu velin me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur me kerubinë të punuar artistikisht; 36Bëri për të katër shtylla prej druri të akacies me grremçat e tyre prej ari; dhe shkriu për shtyllat katër baza prej argjendi. 37Dhe bëri për hyrjen e çadrës një perde prej filli ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe prej liri të hollë të përdredhur, shkurt puna e një qëndistari. 38Bëri gjithashtu pesë shtyllat e saj së bashku me grremçat e tyre i veshi me ar kapitelet dhe dërrasat e tyre; por pesë bazat e tyre ishin prej bronzi.

Copyright information for Alb