Exodus 38
1Pastaj bëri altarin e olokausteve prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë po pesë kubitë; ishte katror dhe i lartë tre kubitë. 2Në të katër qoshet e tij bëri disa brirë, që përbënin një të tërë me të, dhe e veshi me bronz. 3Bëri gjithashtu të gjitha përdorëset e altarit: enët për hirin, lopatat e vogla, legenat, mashat dhe mangallet; të gjitha veglat e tij i bëri prej bronzi. 4Dhe bëri për altarin një grilë prej bronzi në formën e një rrjete nën kornizën, në pjesën e poshtme në mënyrë që rrjeta të ndodhej në gjysmën e lartësisë së altarit. 5Derdhi katër unaza për të katër cepat e grilës prej bronzi, me qëllim që të kalonin shtizat. 6Pastaj i bëri shtizat prej druri të akacies dhe i veshi me bronz. 7Pas kësaj i kaloi shtizat nëpër unazat që ndodheshin anëve të altarit, me të cilat do të mbartej: e ndërtoi me dërrasa dhe bosh nga brenda. 8Pastaj bëri legenin prej bronzi dhe bazën e tij prej bronzi, duke përdorur pasqyrat e grave që vinin për të bërë shërbime në hyrje të çadrës së mbledhjes. 9Pastaj bëri oborrin: nga ana e Negevit, në drejtim të jugut, perdet e oborrit ishin prej liri të hollë të përdredhur dhe me një gjatësi prej njëqind kubitësh, 10dhe kishin njëzet shtyllat e tyre dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi. 11Në krahun verior kishte njëqind kubitë perde me njëzet shtyllat e tyre dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi. 12Në krahun perëndimor kishte pesëdhjetë kubitë perde me dhjetë shtyllat dhe dhjetë bazat e tyre; grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi. 13Përpara, nga ana e lindjes, kishte pesëdhjetë kubitë: 14nga njëri krah kishte pesëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre; 15dhe nga ana tjetër (si këtej ashtu dhe matanë portës së hyrjes në oborr) kishte pesëmbëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre. 16Të gjitha perdet rreth oborrit ishin prej liri të hollë të përdredhur; 17bazat e shtyllave ishin prej bronzi, grremçat e shtyllave dhe shtizat e tyre ishin prej argjendi, kapitelet e shtyllave ishin të veshura me argjend dhe të gjitha shtyllat e oborrit ishin të lidhura me disa shtiza argjendi. 18Perdja për hyrjen në oborr ishte e qëndisur, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe të kuq të ndezur, dhe me li të përdredhur; kishte një gjatësi prej njëzet kubitësh, një lartësi prej pesë kubitësh, dhe korrespondonte me perdet e oborrit. 19Kishte katër shtylla me katër bazat e tyre prej bronzi; grremçat e tyre ishin prej argjendi dhe kapitelet e tyre dhe shtizat e tyre ishin të veshura me argjend. 20Të gjitha kunjat e tabernakullit dhe të rrethojës së oborrit ishin prej bronzi. 21Kjo është lista e sendeve të tabernakullit, të tabernakullit të dëshmisë, që u renditën me urdhër të Moisiut, për shërbimin e Levitëve, nën drejtimin e Ithamarit, birit të priftit Aaron. 22Betsaleeli, bir i Urit, bir i Hurit, nga fisi i Judës, bëri të gjitha ato që i kishte urdhëruar Zoti Moisiut, 23duke pasur me vete Oholiabin, birin e Ahisamakut, nga fisi i Danit, gdhendës, vizatues dhe qëndistar i stofave ngjyrë vjollcë, të purpurta, të kuqe të ndezur dhe prej liri të hollë. 24Gjithë ari i përdorur për të gjitha punimet për vendin e shenjtë, domethënë ari i ofertave, qe njëzet e nëntë talente dhe shtatëqind e tridhjetë sikla, simbas siklit të shenjtërores. 25Dhe argjendi, që u mblodh me rastin e regjistrimit të asamblesë, ishte njëqind talente dhe një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla, simbas siklit të shenjtërores: 26një beka për frymë, (domethënë një gjysmë sikli, simbas siklit të shenjtërores), për çdo burrë që e kapte regjistrimi, nga mosha njëzet vjeç e lart, pra, gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë burra. 27Njëqind talentet prej argjendi shërbyen për të shkrirë bazat e shenjtërores dhe bazat e velit: njëqind baza për njëqind talentet, një talent për bazë. 28Dhe me një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla ai bëri grremçat për shtyllat, i veshi kapitelet e tyre dhe bëri shtizat për shtyllat. 29Bronzi i ofertave arrinte në shtatëdhjetë talente dhe dy mijë e katërqind sikla. 30Dhe me këtë ai bëri bazat e hyrjes së çadrës së mbledhjes, altarin prej bronzi dhe me grilën e tij dhe me të gjitha orenditë e altarit, 31bazat e oborrit, bazat e hyrjes në oborr, të gjithë kunjat e tabernakullit dhe të gjithë kunjat e rrethimit të oborrit.
Copyright information for
Alb