Exodus 39
1Pastaj me stofa ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, bëri rroba të punuara mirë për të shërbyer në shenjtërore, dhe bënë rrobat e shenjta për Aaronin, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 2Ai bëri efodin prej ari e me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur. 3Dhe e rrahën arin në peta dhe e prenë në fije, për ta endur në stofën ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe dhe në lirin e hollë të përdredhur: puna e një artizani të shkathët. 4I bënë edhe supore të bashkuara; kështu efodi mbahej tok në të dy skajet e tij. 5Dhe brezi i punuar artistikisht që ishte mbi efodin për ta lidhur kishte po atë përgatitje: me ar, me fije, ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 6Pastaj u punuan gurët e oniksit, që u ngallmuan në rrathë ari, dhe që u gdhendën, ashtu siç gdhenden vulat e vogla, me emrat e bijve të Izraelit. 7Ai pastaj i vuri mbi suporet e efodit, si gurë për të përkujtuar bijtë e Izraelit ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 8Pastaj ai bëri pektoralin e punuar artistikisht, ashtu si puna e efodit: me ar, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur. 9Pektorali kishte formë katrore; e bënë të palosur më dysh, të gjatë sa pëllëmba dhe të gjerë po aq, kur ishte i palosur më dysh. 10Dhe u ngallmuan katër radhë gurësh; në radhën e parë: një sardon, një topaz dhe një smerald; 11në radhën e dytë: një rubin, një safir dhe një diamant; 12në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist; 13në radhën e katërt: një grizolit, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë ishin futur në rrathët e tyre prej ari. 14Gurët u korrespondonin emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre të gdhendur si vula, secili me emrin e njërit nga dymbëdhjetë fiset. 15Mbi pektoralin bënë gjithashtu zinxhirë prej ari safi, të lidhur si kordonë. 16Bënë edhe dy rrathë të artë dhe dy unaza të arta, dhe i vunë dy unazat në dy skajet e pektoralit. 17Pastaj i fiksuan të dy kordonët e artë mbi të dy unazat, në skajet e pektoralit; 18pas kësaj fiksuan dy majat e dy kordonëve në të dy rrathët dhe i vendosën mbi dy suporet e efodit, në pjesën e përparme të tij. 19Bënë gjithashtu dy unaza ari dhe i vunë në dy skajet e pektoralit, në buzën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit. 20Bënë gjithashtu dy unaza të tjera ari dhe i vunë mbi dy suporet e efodit poshtë, nga përpara, pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit. 21Pastaj i lidhën unazat e pektoralit me unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, me qëllim që pektorali të rrinte mbi brezin e punuar artistikisht të efodit, dhe të mos shkëputej prej këtij të fundit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 22Ai bëri gjithashtu mantelin e efodit, i tëri ngjyrë vjollce, një punim prej endësi. 23Në mes të mantelit kishte një hapje, për të futur kokën; rreth e qark hapjes kishte një buzë stofi të punuar, ashtu si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhej. 24Mbi buzën e mantelit bënë disa shegë në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, me fill të përdredhur. 25Dhe bënë disa zile prej ari të pastër; dhe i vunë në mes të shegëve në buzën e mantelit, rreth e qark shegëve; 26një zile dhe një shegë, një zile dhe një shegë, rreth e përqark, mbi buzën e mantelit, për të bërë shërbimin, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 27Ata bënë edhe tunikat prej liri të hollë; një punë prej endësi, për Aaronin dhe bijtë e tij, 28çallma prej liri të hollë, zbukurimin e mbulesave të kokës prej liri të hollë dhe pantallonat prej liri të hollë të përdredhur, 29dhe brezin prej liri të hollë të përdredhur, në ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, një punë prej qëndistari, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 30Pastaj bënë pllakën e diademës së shenjtë prej ari safi dhe gdhendën mbi të si mbi një vulë fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT. 31Dhe mbërthyen në të një kordele ngjyrë vjollce për ta lidhur në majë të çallmës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 32Kështu përfundoi tërë puna e tabernakullit dhe e çadrës së mbledhjes. Bijtë e Izraelit vepruan sipas të gjitha urdhrave që Zoti i kishte dhënë Moisiut; ata vepruan në këtë mënyrë. 33Pastaj i çuan Moisiut tabernakullin, çadrën dhe tërë veglat e saj, kapëset, dërrasat, traversat, shtyllat dhe bazat e tyre, 34mbulesën me lëkura dashi të ngjyera në të kuq, mbulesën me lëkura baldose dhe velin e perdes, 35arkën e dëshmisë me shtizat e saj dhe pajtuesin, 36tryezën me të gjitha veglat e saj dhe bukën e paraqitjes, 37shandani prej ari safi me llambat e tij (llambat e vendosura në rregull), të gjitha orenditë e tij dhe vajin për dritën e shandanit, 38altarin prej ari, vajin e vajosjes, temjanin e parfumuar dhe perden për hyrjen e çadrës, 39altarin prej bronzi, grilën e tij prej bronzi, shtizat e tij dhe të gjitha veglat e tij, legenin me bazën e tij, 40perdet e oborrit, shtyllat e tij me gjithë bazat, perden për hyrjen e oborrit, kordonët e oborrit, kunjat e tij dhe të gjitha veglat për shërbimin e tabernakullit, për çadrën e mbledhjes, 41rrobat e punuara mirë për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta për priftin Aaron dhe rrobat e bijve të tij për të shërbyer si priftërinj. 42Bijtë e Izraelit e kryen tërë punën, sipas të gjitha porosive që Zoti i kishte dhënë Moisiut. 43Moisiu, pra, shqyrtoi tërë punën; dhe ja, ata e kishin kryer simbas urdhrave të Zotit; ata e kishin bërë kështu. Kështu Moisiu i bekoi.
Copyright information for
Alb