Isaiah 48
1Dëgjoni këtë, o shtëpi e Jakobit, ju që ju thërrasin me emrin e Izraelit dhe që keni dalë nga burimet e Judës, ju që betoheni për emrin e Zotit dhe që përmendni Perëndinë e Izraelit, por jo me të vërtetë dhe me drejtësi. 2Duke qenë se quhen me emrin e qytetit të shenjtë dhe mbështeten mbi Perëndinë e Izraelit, emri i të cilit është Zoti i ushtrive; 3"Unë i shpalla gjërat e kaluara që në fillim; kishin dalë nga goja ime dhe kisha bërë që t'i dëgjonin; pastaj veprova papritmas dhe ato ndodhën. 4Sepse e dija që ishe kokëfortë, që qafa jote ishte një brez i hekurt dhe balli yt prej bronzi, 5t'i kam njoftuar që në fillim, bëra që t'i dëgjosh para se të ndodhnin, që të mos kishe për të thënë: "I ka bërë idhulli im, i ka urdhëruar shëmbëlltyra ime e gdhendur dhe shëmbëlltyra ime e shkrirë". 6Ti e ke dëgjuar dhe e ke parë tërë këtë gjë. A nuk do ta shpallni? Që tani bëj që të dëgjosh gjëra të reja, gjëra të fshehta që ti nuk i njihje. 7Ato janë krijuar tashti dhe jo që në fillim; para ditës së sotme nuk i kishe dëgjuar dhe kështu nuk mund të thuash: "Ja, unë i dija". 8Jo, ti as nuk i ke dëgjuar as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur atëherë, sepse e dija që ti do të veproje me pabesi dhe që do të quheshe "rebel" që në bark të nënës. 9Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros. 10Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit. 11Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t'ia jap lavdinë time asnjë tjetri". 12"Dëgjomë, o Jakob, dhe Izrael, që unë kam thirrur. Unë jam ai që është; unë jam i pari dhe jam i fundit gjithashtu. 13Dora ime ka themeluar tokën dhe dora ime e djathtë ka shpalosur qiejtë; kur unë i thërras, paraqiten bashkë. 14Mblidhuni, ju të gjithë, dhe dëgjoni! Kush prej tyre ka shpallur këto gjëra? Ai që Zoti dashuron do të kryejë vullnetin e tij kundër Babilonisë dhe do të ngrerë krahun e tij kundër Kaldeasve. 15Unë, unë i fola, po, unë e thirra, e bëra të vijë dhe do të bëj që veprimi i tij të shkojë mbarë. 16Afrohuni tek unë, dëgjoni këtë: "Qysh në fillim nuk fola në fshehtësi; kur këto fakte ndodhnin, unë isha atje. Dhe tani Zoti, Zoti, dhe Fryma e tij më kanë dërguar"". 17Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, i Shenjti i Izraelit: "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. 18Ah, sikur t'u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit. 19Trashëgimia jote do të ishte si rëra dhe ata që kanë lindur nga të përbrëndëshmet e tua do të ishin të pallogaritshëm si kokrrizat e saj; emri i tij nuk do të fshihej as do të shkatërrohej para meje". 20Dilni nga Babilonia, ikni nga Kaldeasit! Me një zë të gëzuar kumtojeni, shpalleni këtë gjë, përhapeni deri në skajet e tokës. Thoni: "Zoti ka çliruar shërbëtorin e tij Jakob". 21Ata nuk patën etje kur i çoi nëpër shkretëtirë. Ai bëri që të burojë për ta ujë nga shkëmbi; e çau shkëmbin dhe dolën ujërat. 22"Nuk ka paqe për të pabesët", thotë Zoti.
Copyright information for
Alb