‏ Job 8

1Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha: 2"Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme? 3A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë? 4Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre. 5Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit, 6në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate. 7Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël, 8e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre; 9ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije. 10A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre? 11A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë? 12Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër. 13Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet. 14Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange. 15Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban. 16Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij; 17dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë. 18Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!". 19Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri. 20Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit. 21Ai do t'i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua. 22Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket".

Copyright information for Alb