‏ Job 9

1Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 2"Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë? 3Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t'i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë. 4Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë? 5Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij. 6Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen. 7Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet. 8I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit. 9Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut. 10Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta. 11Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj. 12Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t'ia rimarrë? Kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?". 13Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit. 14Si mund t'i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të? 15Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t'i përgjigjem, por do t'i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim. 16Në rast se unë e thërres dhe ai më përgjigjet, nuk mund të besoj akoma se e ka dëgjuar zërin tim, 17ai, që më godet me furtunën, dhe i shumëzon plagët e mia pa shkak. 18Nuk më lë të marr frymë, përkundrazi më mbush me hidhërime. 19Edhe në qoftë se bëhet fjalë për forcën, ja, ai është i fuqishëm; por sa për gjykimin, kush do të më caktojë një ditë për t'u paraqitur? 20Edhe sikur të isha i drejtë, vetë të folurit tim do të më dënonte; edhe sikur të isha i ndershëm, ai do të provonte se jam i çoroditur. 21Jam i ndershëm, por nuk e çmoj fare veten time dhe e përçmoj jetën time. 22Éshtë e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin". 23Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajmëve. 24Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra? 25Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë. 26Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet. 27Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar", 28më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm. 29Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot? 30Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë, 31ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri. 32Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t'i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë. 33Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy. 34Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë. 35Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.

Copyright information for Alb