Joshua 16
1Pjesa që iu dha me short bijve të Jozefit shtrihej nga Jordani pranë Jerikos, në drejtim të ujërave të Jerikos në lindje, deri në shkretëtirën që ngjitet nga Jeriko në Bethel nëpër krahinën malore. 2Kufiri vijonte pastaj nga Betheli në Luc dhe kalonte në Ataroth nëpër kufirin e Arkejve, 3dhe zbriste në perëndim në drejtim të kufirit të Jafletejve deri në kufirin e Beth-Horonit të poshtëm dhe deri në Gezer, duke mbaruar në det. 4Kështu bijtë e Jozefit, Manasi dhe Efraimi, patën secili trashëgiminë e vet. 5Këto qenë kufijtë e bijve të Efraimit, simbas familjeve të tyre. Kufiri i trashëgimisë së tyre, në lindje, ishte Atrothi deri në Beth-Horonin e sipërm; 6kufiri shtrihej deri në det në veri të Mikmethathit, pastaj kthente nga lndja deri në Tanaath-Shiloh dhe i kalonte përpara në lindje të Janoahut. 7Nga Janoahu zbriste pastaj në Ataroth dhe Naarah dhe zgjatej deri në Jeriko, për të mbaruar në Jordan. 8Nga Tapuah kufiri shtrihej në perëndim deri në përruan Kanah dhe mbaronte në det. Kjo qe trashëgimia e fisit të Efraimit, simbas familjeve të tyre, 9bashkë me qytetet e rezervuara për bijtë e Efraimit në mes të trashëgimisë së bijve të Manasit, të gjitha qytetet bashkë me fshatrat e tyre. 10Por ata nuk i dëbuan Kananejtë që banonin në Gezer; kështu Kananejtë kanë banuar në mes të Efraimit deri ditën e sotme, por u bënë skllevër.
Copyright information for
Alb