‏ Leviticus 11

1Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë atyre: 2"Foluni bijve të Izraelit dhe u thoni: Këto janë kafshët që do të mund të hani nga tërë kafshët që janë mbi tokë. 3Mund të hani çdo kafshë dythundrake që e ka këmbën të ndarë dhe ripërtypet. 4Por nga ripërtypësit dhe nga dythundrakët nuk do të hani këto: devenë sepse përtypet, por nuk është dythundrake; për ju është e papastër; 5baldosën, sepse ripërtypet, por nuk është dythundrake; për ju është e papastër; 6lepurin, sepse ripërtypet, por nuk është dythundrak; për ju është i papastër; 7derrin, sepse është dythundrak dhe e ka këmbën të ndarë, por nuk është ripërtypës; për ju është i papastër. 8Nuk do të hani nga mishi i tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të pajetë; për ju janë të papastër. 9Midis gjithë kafshëve që ndodhen në ujë mund të hani këto: mund të hani të gjithë ato që kanë pendë e luspa në ujë, si në dete ashtu dhe në lumenj. 10Por të gjitha ato që nuk kanë as pendë as luspa, si në dete, ashtu dhe në lumenj, tërë ato që lëviznin në ujë dhe të gjitha ato që jetojnë në ujë janë të neveritshme për ju. 11Do të jenë të neveritshme për ju; nuk do të hani mishin e tyre dhe do keni neveri për trupin e tyre të pajetë. 12Çdo gjë që në ujë nuk ka pendë dhe luspa do të jetë e neveritshme për ju. 13Midis zogjve do të keni neveri këta; nuk duhet t'i hani, sepse janë të neveritshëm: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan peshkatar; 14qiftin dhe çdo lloj fajkoi; 15çdo lloj korbi; 16strucin, hutën, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë; 17bufin, karabullakun e detit, ibisin; 18mjellmën, pelikanin, hutën; 19lejlekun, çdo lloj çafke, pupëzen dhe lakuriqin e natës. 20Do të keni neveri për çdo insekt me krahë që ecën me katër këmbë. 21Por nga të gjitha insektet me krahë që ecin me katër këmbë, mund të hani ato që i kanë kofshët mbi këmbët për të kërcyer në tokë. 22Nga këta mund të hani çdo lloj karkaleci, çdo lloj bulku dhe çdo lloj akridi. 23Çdo lloj tjetër insekti me krahë që ka katër këmbë do të jetë i neveritshëm për ju. 24Këto kafshë do t'ju bëjnë të papastër; kushdo që prek trupin e tyre të pajetë do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 25Kushdo mbart trupat e tyre të pajetë, do të lajë rrobat dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 26Çdo kafshë dythundrake që nuk e ka këmbën të ndarë dhe nuk ripërtypet është e papastër për ju; kushdo që do ta prekë do të bëhet i papastër. 27Ndër të gjitha kafshët katërkëmbëshe, ata që ecin mbi shputën e këmbëve janë të papastër për ju; kushdo që prek trupin e tyre të pajetë do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 28Kushdo që transporton trupin e tyre të pajetë do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Për ju ata janë të papastër. 29Ndër kafshët që zvarriten mbi tokë, këta janë të papastër për ju: urithi, miu dhe çdo lloj hardhje, 30gekoja, varani, hardhuca, kërmilli dhe kameleoni. 31Këto kafshë midis tërë atyre që zvarriten janë të papastra për ju; kushdo që i prek kur kanë ngordhur, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 32Çdo gjë mbi të cilën një prej tyre bie kur kanë ngordhur do të jetë e papastër; qoftë kjo një vegël prej druri, apo rroba, apo lëkurë, apo thes apo çfarëdo sendi tjetër i përdorur për punë, duhet të futet në ujë dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje; pastaj do të jetë i pastër. 33Çdo enë prej argjile brenda të cilës një prej tyre bie, do ta thyeni; dhe gjithçka që ndodhet në të do të jetë i papaster. 34Çdo ushqim që hahet mbi të cilin bie uji i kësaj ene do të bëhet i papastër; dhe çdo gllënjkë që mund të merret prej tij do të jetë e papastër. 35Çdo gjë mbi të cilën bie një pjesë e trupit të tyre të ngordhur, qoftë furra apo furnela, do të copëtohet; ata janë të papastër dhe do të konsiderohen të papastër nga ana juaj. 36Por një burim apo një çisternë, ku mblidhet uji do të jetë i pastër, por çdo gjë që prek trupat e tyre të pajetë do të jetë e papastër. 37Dhe në rast se një pjesë e trupave të tyre të pajetë bie mbi çfarëdo lloj fare që të mbillet, kjo do të mbetet e pastër; 38por në rast se vihet ujë mbi farën dhe një pjesë e trupave të pajetë të tyre bie mbi të, ajo është e papastër për ju. 39Në rast se ngordh një kafshë që ju lejohet ta hani, ai që do të prekë trupin e pajetë të saj do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 40Ai që ha nga ky trup i ngordhur do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje; po kështu ai që transporton këtë trup të ngordhur do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 41Çdo gjë që hiqet zvarrë mbi tokë është një gjë e neveritshme; nuk duhet ta hani. 42Ndër të gjitha kafshët që hiqen zvarrë mbi tokë, nuk do të hani asnjërën prej atyre që ecin mbi bark, që lëvizin me katër këmbë, ose të atyre që kanë shumë këmbë, sepse kjo është e neveritshme. 43Mos u bëni të neveritshëm me asnjë nga këto kafshë që zvarriten; mos u bëni të papastër me to, në mënyrë që të ndoteni. 44Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë; mos u infektoni me asnjë prej këtyre kafshëve që zvarriten mbi tokë. 45Sepse unë jam Zoti që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit, për të qënë Perëndia juaj; jini pra të shenjtë sepse unë jam i shenjtë. 46Ky është ligji përkatës i katërkëmbëshve, zogjve dhe i çdo qënieje të gjallë që lëviz në ujë, dhe i çdo qënieje që hiqet zvarrë mbi tokë, 47me qëllim që të dini të dalloni midis asaj që është e pastër dhe asaj që është e papastër, dhe midis kafshës që mund të hahet dhe të asaj që nuk duhet të hahet".

Copyright information for Alb