‏ Leviticus 13

1Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: 2"Kur një njeri ka mbi lëkurën e trupit të tij një ënjtje apo një kore ose një njollë të shndritshme, dhe bëhet mbi lëkurën e trupit të tij një shenjë e plagës së lebrës, ai do t'i çohet priftit Aaron apo njërit prej bijve të tij priftërinj. 3Prifti do të shqyrtojë plagën mbi lëkurën e trupit; në qoftë se qimja e plagës është bërë e bardhë dhe plaga duket më e thellë se lëkura e trupit, kemi të bëjmë me plagë të lebrës; prifti, pasi ta shqyrtojë, do ta shpallë të papastër atë njeri. 4Por në qoftë se njolla e shndritshme mbi lëkurën e trupit është e bardhë dhe nuk duket se është më e thellë se lëkura, dhe qimja e saj nuk është bërë e bardhë, prifti do ta izolojë për shtatë ditë atë që ka plagën. 5Ditën e shtatë, prifti do ta ekzaminojë përsëri; dhe në qoftë se plaga duket se është ndalur dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, prifti do ta izolojë edhe shtatë ditë të tjera. 6Prifti do ta shqyrtojë përsëri ditën e shtatë; dhe, po të shikojë që plaga është zvogëluar dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të pastër: ishte vetëm një puçërr me qelb. Ai do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i pastër. 7Por në rast se puçrra është zgjeruar mbi lëkurën pasi ai iu paraqit priftit për t'u shpallur i pastër, ai do të kontrollohet përsëri nga prifti; 8prifti do ta kontrollojë; dhe në rast se shikon që puçrra është zgjeruar mbi lëkurë, prifti do ta shpallë atë të papastër; është lebër. 9Kur te një njeri shfaqet një plagë e lebrës, ai do t'i çohet priftit. 10Prifti do ta ekzaminojë; dhe në qoftë se ënjtja mbi lëkurë është e bardhë dhe e ka zbardhur qimen, dhe në ënjtje ka pak mish të gjallë, 11kemi një lebër kronike mbi lëkurën e trupit të tij dhe prifti do ta shpallë atë të papastër; nuk do ta izolojë, sepse është i papastër. 12Por në qoftë se lebra përhapet edhe më mbi lëkurë në mënyrë që të mbulojë tërë lëkurën e atij që ka plagën, nga koka deri te këmbët, kudo që shikon prifti, 13prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se lebra ka mbuluar tërë trupin e tij, do ta shpallë të pastër atë që ka plagën; është bërë i tëri i bardhë, pra, është i pastër. 14Por ditën që do të dalë mbi të mish i gjallë, ai do të shpallet i papastër. 15Kur prifti ka për të parë mishin e gjallë, do ta shpallë atë të papastër; mishi i gjallë është i papastër; është lebër. 16Por në rast se mishi i gjallë ndryshon përsëri dhe bëhet i bardhë, ai duhet të shkojë te prifti; 17dhe prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se plaga është bërë e bardhë, prifti do të shpallë të pastër atë që ka plagën; ai është i pastër. 18Kur mbi lëkurën e trupit zhvillohet një ulcerë, dhe ajo është shëruar, 19dhe në vendin e ulcerës formohet një ënjtje e bardhë ose një njollë e shndritshme e bardhë-kuqalashe, kjo duhet t'i tregohet priftit. 20Prifti do ta ekzaminojë; në qoftë se njolla duket më e thellë se lëkura dhe qimja e saj është bërë e bardhë, prifti do ta shpallë atë të papastër; është plagë lebre që ka shpërthyer në ulcerë. 21Por në rast se prifti, duke e ekzaminuar, sheh që në njollë nuk ka qime të bardha dhe që ajo nuk është më e thellë se lëkura dhe është pakësuar, ai do ta izolojë shtatë ditë. 22Në rast se njolla zgjerohet mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të papastër; është një plagë lebre. 23Por në rast se njolla ka mbetur në vend dhe nuk është zgjeruar, ajo është mbresë e ulcerës dhe prifti do ta shpallë të pastër. 24Në rast se dikush pëson mbi lëkurën e tij një djegie të shkaktuar nga zjarri, dhe mishi i gjallë i djegies bëhet një njollë e shndritshme, e bardhë-kuqalashe, ose e bardhë, 25prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se qimja e njollës është bërë e bardhë dhe njolla duket më e thellë se lëkura, është lebër që ka shpërthyer në djegien. Prifti do ta shpallë të papastër; është plagë lebre. 26Por në rast se prifti, duke shqyrtuar, sheh që nuk ka qime të bardhë në njollë dhe që kjo nuk është më e thellë se lëkura, por është pakësuar, prifti do ta izolojë shtatë ditë atë njeri. 27Ditën e shtatë, prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se njolla është përhapur edhe më mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të papastër; është plagë lebre. 28Në qoftë se njolla e shndritshme ka mbetur përkundrazi në të njëjtin vend dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, por është pakësuar, është një ënjtje shkaktuar nga djegia; prifti do ta shpallë të pastër, sepse është mbresa e djegies. 29Kur një burrë apo një grua ka një plagë në kokë apo në mjekër, 30prifti do të ekzaminojë plagën; në rast se duket më e thellë se lëkura dhe në të ka qime të verdha dhe të holla, prifti do ta shpallë atë të papastër; është qere, domethënë lebër e kokës apo e mjekrës. 31Në qoftë se përkundrazi prifti shqyrton plagën e qeres, dhe kjo nuk duket më e thellë se lëkura dhe në të nuk ka qime të zeza, prifti do ta izolojë shtatë ditë atë që ka plagën e qeres. 32Ditën e shtatë prifti do të kontrollojë plagën dhe, po të jetë se qerja nuk është përhapur dhe nuk ka në të qime të verdha, dhe qerja nuk duket më e thellë se lëkura, 33ai person do të rruhet, por nuk do të rruajë pjesën e prekur nga qerja; dhe prifti do ta izolojë shtatë ditë të tjera atë që ka qeren. 34Ditën e shtatë prifti do të kontrollojë qeren; dhe në qoftë se qerja nuk është përhapur mbi lëkurë dhe nuk duket më e thellë se lëkura, prifti do ta shpallë të pastër; ai do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i pastër. 35Por në qoftë se, pasi është shpallur i pastër, qerja është përhapur mbi lëkurë, 36prifti do ta kontrollojë atë; në qoftë se qerja është përhapur mbi lëkurë, prifti nuk duhet të kërkojë qimen e verdhë; ai është i papastër. 37Por në qoftë se qerja duket se është ndaluar dhe në të janë rritur qime të zeza, qerja është shëruar; ai është i pastër dhe prifti do ta shpallë të pastër. 38Në rast se një burrë apo një grua ka mbi lëkurën e trupit të tij njolla të shndritshme, veçanërisht njolla të shndritshme bardhoshe, 39prifti do t'i shqyrtojë; dhe në qoftë se njollat e shndritshme mbi lëkurën e trupit të tyre kanë një ngjyrë të bardhë të zbehtë, është një erupsion të lëkurës; ai është i pastër. 40Në rast se një njeriu i bien flokët e kokës, është tullac, por është i pastër. 41Në rast se i bien flokët mbi ballë, është tullac mbi ballë, por i pastër. 42Por në rast se në pjesën tullace të kokës ose të ballit shfaqet një plagë e bardhë-kuqalashe, është lebër, që ka shpërthyer mbi kokë apo mbi ballë. 43Prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se ënjtja e plagës mbi pjesën tullace të kokës apo të ballit është e bardhë-kuqalashe, njëlloj si lebra mbi lëkurën e trupit, 44është lebroz; është i papastër, dhe prifti do ta shpallë atë të papastër, për shkak të plagës mbi kokën e tij. 45Lebrozi, i prekur nga kjo plagë, do të veshë rroba të grisura dhe do ta mbajë kokën të zbuluar; do të mbulojë mjekrën e tij dhe do të bërtasë: "papastër, papastër". 46Do të jetë i papastër tërë kohën që do të ketë plagën; është i papastër; do të jetojë vetëm; do të banojë jashtë kampit. 47Në qoftë se ka një plagë lebre mbi një palë rroba, qoftë rrobë leshi apo një rrobë liri, 48një stofë o një punë me shtiza, prej liri ose leshi, në lëkurë apo në çfarëdo sendi prej lëkure, 49në se plaga është e gjelbëruar ose kuqalashe mbi rrobat apo mbi lëkurën, mbi stofin ose mbi punën e bërë me shtiza, ose mbi çfarëdo tjetër sendi të punuar me lëkurë, është plagë lebre, dhe do t'i tregohet priftit. 50Prifti do të shqyrtojë plagën dhe do të izolojë shtatë ditë atë që ka plagën. 51Ditën e shtatë do të ekzaminojë plagën; dhe në qoftë se plaga është përhapur mbi rrobat, o mbi stofën, o mbi trikotazhin, o mbi lëkurën apo mbi çfarëdo sendi të punuar me lëkurë, është një plagë lebre të keqe; është një gjë e papastër. 52Ai do t'i djegë këto rroba o stofin ose trikotazhin prej leshi a prej liri ose çfarëdo sendi të bërë me lëkurë, mbi të cilin ndodhet plaga, sepse është një lebër e keqe; do të digjen në zjarr. 53Por në rast se prifti ekzaminon plagën, dhe kjo nuk është përhapur mbi rrobat o mbi stofin, o mbi trikotazhin ose mbi çdo send prej lëkure, 54prifti do të urdhërojë që të lahet sendi mbi të cilin është kjo plagë, dhe do ta izolojë personin për shtatë ditë të tjera. 55Prifti do të ekzaminojë plagën, mbasi të jetë larë; në qoftë se plaga nuk ka ndryshuar ngjyrë, edhe sikur të mos jetë përhapur, është gjë e papastër; do ta djegësh në zjarr; ajo vazhdon të hajë nga brenda apo nga jashtë. 56Në qoftë se prifti e ekzaminon dhe plaga, pasi është larë, është përmirësuar, do ta shkulë nga rrobat, a nga lëkura, a nga stofi apo nga trikotazhi. 57Por në rast se duket ende mbi rrobat, stofin, trikotazhin, ose mbi çdo send tjetër prej lëkure, është një e keqe që po përhapet; do të djegësh me zjarr sendin mbi të cilin ndodhet plaga. 58Rrobat, o stofi, o trikotazhi ose çdo send tjetër i bërë me lëkurë që ke larë dhe nga i cili është zhdukur plaga, do të lahet një herë të dytë dhe do të jetë i pastër. 59Ky është ligji për plagën e lebrës mbi një palë rroba leshi ose prej liri, mbi stofin apo trikotazh ose çfarëdo sendi të bërë prej lëkure, për ta shpallur të pastër apo për ta shpallur të papastër".

Copyright information for Alb