Mark 12
1Pastaj ai filloi t'u flasë me shëmbëlltyra: ''Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, gërmoi një vend për të shtrydhur rrushin, ndërtoi një kullë dhe ua besoi disa vreshtarëve dhe pastaj shkoi larg. 2Në kohën e të vjelave dërgoi shërbëtorin te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të frutave të vreshtit. 3Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarbosh. 4Ai u nisi përsëri një shërbëtor tjetër, por ata, mbasi e gjuajtën me gurë, e plagosën në kokë dhe e kthyen të turpëruar. 5Përsëri dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Më pas dërgoi shumë të tjerë dhe nga këta disa i rrahën, të tjerët i vranë. 6I ngeli edhe një për të dërguar: birin e tij të dashur. Më së fundi ua dërgoi edhe atë duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt". 7Por ata vreshtarë i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari, ejani ta vrasim dhe do të na mbesë trashëgimia". 8Dhe e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit. 9Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit? Ai do të vijë dhe do t'i shfarosë vreshtarët dhe vreshtin do t'ua japë të tjerëve. 10Po a nuk e keni lexuar këtë shkrim: "Guri, që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes. 11Kjo është bërë nga Zoti dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tanë"?''. 12Atëherë ata kërkuan ta kapin, sepse kuptuan se ai e kishte thënë atë shëmbëlltyrë kundër tyre; por kishin frikë nga turma; dhe e lanë e ikën. 13Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë. 14Këta erdhën dhe i thanë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë pa pyetur për njeri, sepse nuk merr parasysh dukjen e njerëzve, por u mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. A është e ligjëshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo jo? 15Por ai, duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha atyre: ''Përse më tundoni? Më sillni një denar që ta shoh!''. 16Ata ia prunë. Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''. Ata i thanë: ''E Cezarit''. 17Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''. Dhe ata u çuditën nga ai. 18Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë: 19''Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i lindur pasardhës vëllait të tij. 20Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë. 21E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti. 22Që të shtatë e morën për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. E fundit, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja. 23Në ringjallje, pra, kur të ringjallen, gruaja e kujt do të jetë ajo? Sepse që të shtatë e patën grua''. 24Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: ''A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë? 25Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri, as do të martohen as do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. 26Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit"? 27Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë''. 28Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: ''Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?''. 29Dhe Jezusi u përgjigj: ''Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot", 30dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim. 31Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta''. 32Atëherë skribi i tha: ''Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s'ka asnjë tjetër përveç tij; 33dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet''. 34Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: ''Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë''. Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë. 35Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: ''Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit? 36Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua". 37Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?''. Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje. 38Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: ''Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t'i përshëndetin në sheshe, 39dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti, 40që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t'u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!''. 41Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë. 42Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant. 43Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: ''Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. 44Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar''.
Copyright information for
Alb