Matthew 1
1Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. 2Abrahamit i lindi Isaku; Isakut i lindi Jakobi; Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. 3Judës i lindi nga Tamara Faresi dhe Zara; Faresit i lindi Esromi; Esromit i lindi Arami; 4Aramit i lindi Aminadabi; Aminadabit i lindi Naasoni; Naasonit i lindi Salmoni. 5Salmonit i lindi Boozi nga Rahabi; Boozit i lindi Obedi nga Ruthi; Obedit i lindi Jeseu. 6Jeseut i lindi Davidi mbret; mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias. 7Salomonit i lindi Roboami; Roboamit i lindi Abia; Abias i lindi Asai. 8Asait i lindi Jozafati; Jozafatit i lindi Jorami; Joramit i lindi Ozia. 9Ozias i lindi Joatami; Joatamit i lindi Akazi; Akazit i lindi Ezekia. 10Ezekias i lindi Manaseu; Manaseut i lindi Amoni; Amonit i lindi Josia. 11Josias i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij në kohën e internimit në Babiloni. 12Pas internimit në Babiloni Jekonias i lindi Salatieli; Salatielit i lindi Zorobabeli. 13Zorobabelit i lindi Abiudi; Abiudit i lindi Eliakimi; Eliakimit i lindi Azori. 14Azorit i lindi Sadoku; Sadokut i lindi Akimi; Akimit i lindi Eliudi. 15Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matthani, Matthanit i lindi Jakobi. 16Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht. 17Kështu të gjithë brezat nga Abrahami deri te Davidi bëhen katërmbëdhjetë breza; dhe, nga Davidi deri te internimi në Babiloni, katërmbëdhjetë breza; dhe, nga internimi në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë breza. 18Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë. 19Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas. 20Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjell i Zotit dhe i tha: ''Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç'është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. 21Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre''. 22E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: 23''Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Zoti me ne"''. 24Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetës gruan e tij; 25por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus.
Copyright information for
Alb