Matthew 13
1Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit. 2Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg. 3Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: ''Ja, një mbjellës doli për të mbjellë. 4Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën. 5Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë; 6por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s'kishte rrënjë. 7Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën. 8Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish. 9Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!''. 10Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: ''Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?''. 11Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë. 12Sepse atij që ka, do t'i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 13Prandaj unë u flas atyre me shëmbëll-tyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë. 14Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni. 15Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t'i shëroj. 16Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë. 17Sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t'i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t'i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan! 18Juve pra kuptoni shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës. 20Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; 21por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë. 22Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme. 23Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish. 24Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. 25Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku. 26Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra. 27Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: "Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra? 28Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?". 29Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin. 30I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t'u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim"''. 31Ai u proposoi atyre një shëmbëlltyre tjetër duke thënë: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet. 32Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj''. 33Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ''Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell deri sa brumi të mbruhet plotësisht''. 34Jezusi ua tha turmave të gjitha këto gjëra në shëmbëlltyra; dhe u fliste atyre vetëm në shëmbëlltyra, 35që të përmbushej ç'është e thënë nëpërmjet profetit: ''Unë do të hap gojën time në shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës''. 36Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: ''Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë''. 37Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut. 38Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut, 39dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt. 40Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës. 41Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, 42dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. 43Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!''. 44''Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë. 45Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur. 46Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen. 47Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash. 48Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç'është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë. 49Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t'i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët; 50dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh''. 51Jezusi u tha atyre: ''A i kuptuat të gjitha këto?''. Ata i thanë: ''Po, Zot''. 52Dhe ai u tha atyre: ''Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra''. 53Tani kur Jezusi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, u largua që andej. 54Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thonin: ''Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme? 55A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda? 56Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?''. 57Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: ''Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet''. 58Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.
Copyright information for
Alb