‏ Nahum 3

1Mjerë qyteti gjakatar, që është plot me hile dhe me dhunë dhe që nuk po heq dorë nga grabitjet! 2Kërcet kamxhiku, zhurmë shurdhuese rrotash, kuajsh që vrapojnë dhe qerresh që hovin, 3kalorës në sulm shpata flakëruese, ushta që shndritin, një shumicë e madhe të vrarësh, të vdekur të shumtë, kufoma pa fund; pengohesh te kufomat. 4Të gjitha këto për shkak të kurvërimeve të shumta të prostitutes joshëse, mjeshtre në artet magjike që i shiste kombet me kurvërimet e saj dhe popujt me artet e saj magjike. 5"Ja, unë jam kundër teje", thotë Zoti i ushtrive, "unë do të ngre cepat e rrobës sate deri në fytyrë dhe do t'u tregoj kombeve lakuriqësinë tënde dhe mbretërive turpin tënd. 6Do të të hedh përsipër ndyrësi, do të të bëj të neveritshme dhe do të të nxjerr te shtylla e turpit. 7Do të ndodhë që të gjithë ata që do të të shikojnë do të largohen prej teje dhe do të thonë: "Ninive është shkretuar! Kujt do t'i vijë keq për të?". Ku t'i kërkoj ngushëllonjësit e saj?". 8A je më e bukur se No-Amoni, që ndodhet midis kanaleve të Nilit, i rrethuar nga ujërat dhe që e kishte detin si ledh dhe detin si mur? 9Etiopia dhe Egjipti ishin forca e tij dhe nuk kishin kufi; Puti dhe Libianët ishin aleatët e tij. 10Megjithatë edhe ai u internua, shkoi në robëri; edhe fëmijët e tij u bënë copë-copë në hyrje të çdo rruge; kanë hedhur shortin mbi fisnikët e tij dhe tërë të mëdhenjtë e tij u lidhën me zinxhirë. 11Ti gjithashtu do të jesh e dehur dhe do të fshihesh; ti gjithashtu do të kërkosh një vend të fortifikuar përpara armikut. 12Tërë fortesat e tua do të jenë si druri i fikut me fiq të parë; po t'i shkundësh, bien në gojë të atij që i ha. 13Ja, trupat e tua në mes teje janë si gra; portat e vendit tënd janë të hapura përpara armiqve të tu; zjarri ka gllabëruar hekurat e portave të tua. 14Mblidh për vete ujin e nevojshëm për rrethimin, përforco fortifikimet e tua, ngjeshe argjilën, punoje llaçin, ndreqe furrën për tulla. 15Atje zjarri do të të gllabërojë, shpata do të të shkatërrojë, do të të hajë si një larvë karkaleci; shumohu si larvat e karkalecave, shumohu si karkalecat. 16I ke shumuar tregjet e tua më tepër se yjet e qiellit; larvat e karkalecave zhveshin çdo gjë dhe pastaj fluturojnë tutje. 17Princat e tu janë si karkalecat, oficerët e tu si mizëri karkalecash që ndalen midis gjerdheve në ditët e ftohta; po, kur del dielli, fluturojnë tutje, por nuk dihet se ku kanë shkuar. 18O mbret i Asirisë, barinjtë e tu po flenë, fisnikët e tu pushojnë; populli yt u shpërnda ndër male dhe kurrkush nuk po i mbledh. 19Nuk ka ilaç për plagën tënde, plaga jote është vdekjeprurëse; të gjithë ata që do të dëgjojnë të flitet për ty, do të përplasin duart për fatin tënd. Sepse mbi kë nuk është ushtruar vazhdimisht ligësia jote?

Copyright information for Alb