Numbers 3
1Këta janë pasardhësit e Aaronit dhe të Moisiut në kohën kur Zoti i foli Moisiut në malin Sinai. 2Këta janë emrat e bijve të Aaronit: Nadabi, i parëlinduri, Abihu, Eleazari dhe Ithamari. 3Këta janë emrat e bijve të Aaronit, të vajosur si priftërinj, që ai i shenjtëroi për të shërbyer si priftërinj. 4Nadabi dhe Abihu vdiqën para Zotit, kur ofruan një zjarr të palejueshëm para Zotit në shkretëtirën e Sinait; ata nuk patën bij. Kështu Eleazari dhe Ithamari shërbyen si priftërinj në prani të Aaronit, atit të tyre. 5Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: 6"Afro fisin e Levitëve dhe paraqite para priftit Aaron, që të vihet në shërbim të tij. 7Ata do të zbatojnë të gjitha udhëzimet e tij dhe do të kryejnë të gjitha detyrat që lidhen me tërë asamblenë para çadrës së mbledhjes, duke kryer shërbimin e tabernakullit. 8Do të kujdesen për të gjitha orenditë e çadrës së mbledhjes dhe do të përmbushin të gjitha detyrimet e bijve të Izraelit, duke kryer shërbimin e tabernakullit. 9Levitët do t'ua japësh Aaronit dhe bijve të tij; ata duhet t'u jepen plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit. 10Ti do të vendosësh Aaronin dhe bijtë e tij në mënyrë që ata të kryejnë funksionet e priftërisë së tyre; por çdo i huaj tjetër që afrohet do të dënohet me vdekje". 11Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 12"Ja, unë i mora Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit në vend të çdo të parëlinduri që çel barkun e nënës midis bijve të Izraelit; prandaj Levitët do të jenë të mitë, 13sepse çdo i parëlindur është imi; ditën që godita të gjithë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, unë ia shenjtërova vetvetes të gjithë të parëlindurit në Izrael, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve; ata do të jenë të mitë. Unë jam Zoti. 14Pastaj Zoti i foli Moisiut në shkretëtirën e Sinait, duke i thënë: 15"Bëj regjistrimin e bijve të Levit në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre; do të bësh regjistrimin e të gjithë meshkujve një muajsh e lart". 16Kështu Moisiu bëri regjistrimin simbas urdhërit të Zotit ashtu siç ishte urdhëruar. 17Këta janë bijtë e Levit, simbas emrave të tyre: Gershon, Kehat dhe Merari. 18Këta janë emrat e bijve të Gershonit, simbas familjeve të tyre: Libni dhe Shimei; 19bijtë e Kehathit, simbas familjeve të tyre, ishin Amrami, Itsehari, Hebroni dhe Uzieli; 20bijtë e Merarit, simbas familjeve të tyre, ishin Mahli dhe Mushi. Këto janë familjet e Levitëve, në bazë të shtëpive të etërve të tyre. 21Nga Gershoni rrjedhin familja e Libnitëve dhe familja e Shimetëve; këto janë familjet e Gershonitëve. 22Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt e moshës një muajsh e lart, ishin shtatë mijë e pesëqind. 23Familjet e Gershonitëve duhet të zinin vend prapa tabernakullit, në drejtim të perëndimit. 24I pari i shtëpisë së etërve të Gershonitëve ishte Eliasafi, bir i Laelit. 25Detyrat e bijve të Gershonit në çadrën e mbledhjes kishin të bënin me tabernakullin, me çadrën dhe mbulesën e saj, me perden e hyrjes në çadrën e mbledhjes, 26me perdet e oborrit, me perden në hyrjen e oborrit rreth tabernakullit dhe rreth altarit dhe litarët e tij për tërë shërbimin që u takonte. 27Nga Kehathi rrjedhin familja e Amramitëve, familja e Itseharit, familja e Hebronitëve dhe familja e Uzielitëve; këto janë familjet e Kehathitëve. 28Duke numëruar tërë meshkujt që ishin në moshë një muajsh e lart, kishte tetë mijë e gjashtëqind vetë, që kujdeseshin për shenjtëroren. 29Familjet e bijve të Kehathit duhet të zinin vend në krahun jugor të tabernakullit. 30I pari i shtëpisë së etërve të Kehathit ishte Elitsafani, bir i Uzielit. 31Detyrat e tyre kishin të bënin me arkën, me tryezën, me shandanin, me altarët dhe me orenditë e shenjtërores me të cilat ata kryenin shërbimin, me velin dhe gjithë punën që lidhet me këto gjëra. 32Princi i princave të Levitëve ishte Eleazari, bir i priftit Aaron; ai mbikqyrte ata që kujdeseshin për shenjtëroren. 33Nga Merari rrjedhin familja e Mahlitëve dhe familja e Mushitëve; këto janë familjet e Merarit. 34Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt nga mosha një muajsh e lart, ishin gjashtë mijë e dyqind. 35Prijësi i shtëpisë së etërve të familjeve të Merarit ishte Tsurieli, bir i Abihailit. Ata duhet të zinin vend në krahun verior të tabernakullit. 36Detyrat e caktuara për bijtë e Merarit kishin të bënin me dërrasat e tabernakullit, me traversat e tij, me shtyllat dhe bazat e tyre, me tërë veglat e tij dhe tërë punën që ka të bëjë me këto gjëra, 37me shtyllat e oborrit rreth e qark, me bazat e tyre, me kunjat dhe me litarët e tyre. 38Përpara tabernakullit, në krahun e tij lindor, përballë çadrës së mbledhjes, nga ana lindjes së diellit, duhet të zinin vend Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij; ata kujdeseshin për shenjtëroren duke plotësuar detyrat e bijve të Izraelit; por çdo i huaj tjetër që do të afrohej, do të dënohej me vdekje. 39Tërë Levitët e regjistruar nga Moisiu dhe Aaroni në bazë të familjeve të tyre simbas urdhrit të Zotit, të gjithë meshkujt që nga mosha një muajsh e lart ishin njëzet mijë. 40Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj regjistrimin e të gjithë të parëlindurve meshkuj ndër bijtë e Izraelit nga mosha një muajsh e lart dhe llogarit edhe emrat e tyre. 41Do t'i marrësh Levitët për mua, unë jam Zoti, në vend të të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit dhe bagëtinë e Levitëve në vend të të parëlindurve ndër bagëtitë e bijve të Izraelit". 42Kështu Moisiu bëri regjistrimin e të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. 43Të gjithë të parëlindurit meshkuj që u regjistruan duke numëruar emrat e tyre nga mosha një muajsh e lart, ishin njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre. 44Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: 45"Merr Levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të Izraelit, dhe bagëtinë e Levitëve në vend të bagëtisë së tyre; Levitët do të jenë të mitë. Unë jam Zoti. 46Për shpengimin e dyqind e shtatëdhjetë e tre të parëlindur të Izraelit që e kalojnë numrin e Levitëve, 47do të marrësh pesë sikla për frymë, simbas siklit të shenjtërores; sikli ka njëzet gere. 48Paratë do t'ia japësh Aaronit dhe bijve të tij për të shpenguar ata që e kalojnë numrin e tyre". 49Kështu Moisiu mori paratë e shpengimit nga ata që e kalonin numrin e të parëlindurve të shpenguar nga Levitët; 50mori paratë e të parëlindurve të bijve të Izraelit; një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë sikla, simbas siklit të shenjtërores. 51Pastaj Moisiu paratë e atyre që ishin shpenguar ia dha Aaronit dhe bijve të tij, simbas urdhërit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
Copyright information for
Alb