‏ Proverbs 13

1Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin. 2Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë. 3Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit. 4Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht. 5I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet. 6Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin. 7Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri. 8Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim. 9Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet. 10Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave. 11Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo. 12Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës. 13Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet. 14Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes. 15Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm. 16Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij. 17Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim. 18Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet. 19Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja. 20Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq. 21E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën. 22Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin. 23Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie. 24Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë. 25I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.

Copyright information for Alb