Proverbs 18
1Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë. 2Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij. 3Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi. 4Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar. 5Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq. 6Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje. 7Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij. 8Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë. 9Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit. 10Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri. 11Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë. 12Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia. 13Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet. 14Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar? 15Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë. 16Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve. 17I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton. 18Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit. 19Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje. 20Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij. 21Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj. 22Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti. 23I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi. 24Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.
Copyright information for
Alb