‏ Proverbs 5

1Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim, 2me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë. 3Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji; 4por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa. 5Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol. 6Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton. 7Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime. 8Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj, 9për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë. 10Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji, 11dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar, 12dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime? 13Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin. 14U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit". 15Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd. 16A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë? 17Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty. 18Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate. 19Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të. 20Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje? 21Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij. 22I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij. 23Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

Copyright information for Alb