‏ Psalms 107

1Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 2Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit, 3add dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu. 4Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin. 5Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej. 6Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre; 7dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin. 8Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve. 9Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur. 10Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira, 11sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit; 12prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë. 13Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre, 14i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre. 15Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve, 16sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri. 17Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre; 18ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes, 19por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre. 20Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa. 21Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve; 22le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi. 23Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha, 24shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit. 25Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit. 26Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi. 27Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç'të bëjnë. 28Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre. 29Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë. 30Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre. 31Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve; 32le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve. 33Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata; 34tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj. 35Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji. 36Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar, 37mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme. 38Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre. 39Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit. 40Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë. 41Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope. 42Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur. 43Ai që është i urtë le t'i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.

Copyright information for Alb