Psalms 147
1Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t'i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh. 2Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit. 3Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre. 4Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre. 5I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij. 6Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij. 7Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë, 8që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet. 9Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin. 10Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut. 11Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij. 12Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion. 13Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje. 14Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë. 15Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun. 16Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi. 17Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t'i bëjë ballë të ftohtit të tij? 18Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin. 19Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij. 20Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.
Copyright information for
Alb