‏ Zechariah 1

1Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë: 2"Zoti ishte zemëruar shumë me etërit tuaj. 3Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kthehuni tek unë, thotë Zoti i ushtrive, dhe unë do të kthehem te ju", thotë Zoti i ushtrive. 4"Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e së kualuarës u kanë shpallur, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija dhe nga veprat tuaja të këqija". Por ata nuk dëgjuan dhe nuk më kushtuan vemendje", thotë Zoti. 5"Etërit tuaj ku janë? Po profetët a rrojnë vallë përjetë? 6Vallë fjalët e mia dhe statutet e mia që ua kisha besuar shërbëtorëve të mi, profetëve, nuk arritën te etërit tuaj? Kështu ata u konvertuan dhe thanë: "Ashtu si kishte vendosur të vepronte me ne Zoti i ushtrive, në bazë të rrugëve tona dhe të veprave tona, kështu veproi me ne"". 7Më njëzet e katër të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shebatit, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë: 8Natën pata një vegim; dhe ja, një burrë, që i kishte hipur një kali të kuq, rrinte midis shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë dhe prapa tij kishte kuaj të kuq, të kuqërremë dhe të bardhë. 9Unë pyeta: "Imzot, çfarë kuptimi kanë këto gjëra?". Engjëlli që fliste me mua m'u përgjigj: "Unë do të të bëj të shohësh çfarë kuptimi kanë ato". 10Atëherë burri që rrinte midis shkurreve të mërsinave nisi të thotë: "Këta janë ata që i ka dërguar Zoti për të përshkuar dheun". 11Kështu iu përgjigjën ata engjëllit të Zotit i cili rrinte midis shkurreve të mërsinave: "Kemi përshkuar dheun dhe ja, gjithë dheu është në pushim dhe i qetë". 12Atëherë engjëlli i Zotit nisi të thotë: "O Zoti i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jeruzalemin dhe për qytetet e Judës kundër të cilave ke qënë i zemëruar gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve?". 13Pastaj Zoti i tha disa fjalë të mira, fjalë inkurajimi, engjëllit që fliste me mua. 14Kështu engjëlli që fliste me mua më tha: "Bërtit dhe thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë jam shumë xheloz për Jeruzalemin dhe për Sionin; 15por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen". 16Prandaj kështu thotë Zoti: "Unë po i drejtohem përsëri Jeruzalemit me mëshirë; tempulli im do të rindërtohet aty, thotë Zoti i ushtrive, dhe litari do të nderet mbi Jeruzalem". 17Bërtit akoma dhe thuaj: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Qytetet e mia do të jenë plot e përplot me pasuri; Zoti do të ngushëllojë akoma Sionin dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin"". 18Pastaj i çova sytë, shikova dhe ja, katër brirë. 19Unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Çfarë janë këta?". Ai m'u përgjigj: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, Izraelin dhe Jeruzalemin". 20Pastaj Zoti më bëri të shoh katër kovaçë. 21Unë pyeta: "Pse kanë ardhur këta, çfarë do të bëjnë?". Ai u përgjigj dhe tha: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, kështu që askush nuk mund të çonte kokën lart, por këta kovaçë vijnë për t'i trembur, për të rrëzuar brirët e kombeve që e kanë ngritur bririn e tyre kundër vendit të Judës për ta shpërndarë".

Copyright information for Alb